Situata e përgjithshme në Ballkanin Perëndimor nuk është e mirë, ka thënë Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.
Në lidhje me situatën politike në Bosnjë dhe Hercegovinë, diplomati evropian është shprehur se “ka tendenca që dëmtojnë unitetin e vendit, zhvillimin dhe rrugën e tij evropiane”.
Ai i bëri këto komente para takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së, të cilët do të diskutojnë mes tjerash gjendjen në Ballkanin Perëndimor, me theks të posaçëm në zhvillimet e fundit në Bosnjë e Hercegovinë dhe bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi.
Ndërsa, komisionari për zgjerim Oliver Varhelyi tha se procesi i zgjerimit është “mjeti më i fuqishëm” i Bashkimit Evropian.
“Pas zgjedhjeve në Bullgari dhe në Maqedoninë e Veriut, shpresojmë të shohim përparim të shpejtë në terren,” tha Varhelyi, transmeton Zëri i Amerikës.