Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka paralajmëruar se aleanca është në gjendje gatishmërie përballë kërcënimeve të Rusisë në kufirin me Ukrainën.
Të hënën, ai përshëndeti një sërë dislokimesh të njoftuara nga anëtarët e aleancës ditët e fundit dhe tha se aleanca e NATO-s do të marrë “të gjitha masat e nevojshme”.
“Ne gjithmonë do t’i përgjigjemi çdo përkeqësimi të mjedisit tonë të sigurisë, duke përfshirë forcimin e mbrojtjes sonë kolektive”, tha zoti Stoltenberg përmes një deklarate, transmeton VOA.
NATO-ja denoncoi Rusinë për përshkallëzim të tensioneve në lidhje me krizën në Ukrainë. Zyrtarët e NATO-s gjithashtu thanë se aleanca mund të dërgonte trupa shtesë në krahun e saj juglindor.
Ndërkohë, Pentagoni tha se ka vënë deri në 8,500 trupa në gatishmëri për dislokim të mundshëm në Evropë, nëse aleanca e NATO-s aktivizon një forcë të reagimit të shpejtë.
NATO-ja tani ka rreth 4,000 trupa në batalione shumëkombëshe të dislokuara në Estoni, Lituani, Letoni dhe Poloni, të mbështetura me tanke, njësi të mbrojtjes ajrore dhe njësi të inteligjencës dhe survejimit.