Deputetja gjermane e partistë liberale (FDP), Renata Alt, ka vlerësuar se rezultati i zgjedhjeve në Mal të Zi ka treguar se “sa e madhe është bërë pakënaqësia mbi stilin autoritar” të presidentit Milo Gjukanoviq.
Alt, që është raportuese e grupit parlamentar liberal për Balkanin Perëndimor, ka bërë një parashikim për të ardhmen politike të Gjukanoviçit.
“Ajo që e kërcënon atë, është një bashkëjetesë e pakëndshme me një qeveri të re armiqësore ndaj tij. Por nëse aleanca pro-ruse e Frontit Demokratik do të bjerë në ujdi me të dyja alencat proeuropiane për një program qeverisës është më shumë se e pasigurtë”, ka thënë Alt për DW.
Gjithashtu, ajo ka shprehur dyshime edhe për orientimin properëndimor të një qeverie të re.
Zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi u mbajtën të dielën, me një pjesëmarrje prej më shumë se 75% të qytetarëve. Rezultatet paraprake të zgjedhjeve tregojnë se Partia Demokratike e Socialistëve, e udhëhequr nga presidenti Millo Gjukanoviq, ka fituar 35.12 për qind të votave, ndërsa koalicioni opozitar “Për ardhmërinë e Malit të Zi” 32,54 për qind të votave.