Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, ka treguar se kur do të ishte e përshtatshme rihapja e kufirit Kosovë-Shqipëri.

Ngritja e numrit të infektuarve në Kosovë, gjatë ditëve të fundit, mund të ndikoj që të shtyhet dita e hapjes së kufijve.

Sipas Minxhozit, mesi i qershorit do të ishte koha e përshtatshme për hapjen e kufirit mes dy vendeve.

“Ne duam që numrat e personave të infektuar të ulen në minimum. Fatkeqësisht Kosova këto ditë ka pasur një rritje e cila nuk është një sinjal i mirë. Njerëzit mendojnë që u liruan pak e lirohen shumë. Kjo është e rrezikshme. Rikthimi i i shifrave të ditëve të mëparshme është një rrezik i madh për shëndetin e njerëzve”, ka thënë Minxhozi për Ekonomia Online.

Diplomati shqiptar është shprehur optimist se shqiptarët nga të dy vendet këtë verë do të takohen në numër të madh në bregdet.

“Mesi i qershorit do të ishte një afat optimal për të hapur kufijtë. Ky vit shënon një risi që nuk ka qenë deri tash, pushuesit që kanë planifikuar të shkojnë jashtë do të jenë në Shqipëri. Do të jetë një bashkim jo vetëm rreth flamurit por edhe rreth detit”, ka thënë Minxhozi.

Ndër të tjera, ai tha se rregullat e plazhit do të jenë strikte, derisa paralajmëroj se nuk do të lejohen që mbi katër persona të qëndrojnë në veture.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *