Në Bruksel është arritur marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë për reciprocitetin ndaj targave të veturave që futen nga njëri vend në tjetrin.
Ndërmjetësi evropian Miroslav Lajçak ka publikuar marrëveshjen e cila parasheh që nga e hëna e 4 tetorit të filloj qarkullimi i automjeteve mes Kosovës dhe Serbisë me vendosjen e “letrave ngjitëse”.
Kjo marrëveshjeve do të jetë e përkohshme deri në arritjen e një zgjidhjeje të përhershme, ka njoftuar Lajçak.
“Do të krijohet një Grup Punues i përbërë nga përfaqësues të BE-së dhe nga palët e Beogradit dhe Prishtinës, dhe i drejtuar nga BE-ja në mënyrë që të gjendet një zgjedhje e përhershme për targat bazuar në standardet dhe praktikat e BE-së.”
Pas arritjes së marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, Lajçak ka falënderuar të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin, Gabriel Escobar.
Përmes një postimi, ai ka ndarë foto nga takimi me Escobarin duke e falënderuar për ditët e kaluara në Bruksel dhe përkrahjen e dialogut Kosovë-Serbi.