Bashkimi Evropian ka kërkuar që Kosova të miratoj buxhetin për vitin 2021 para se Kuvendi të shpërbëhet për ta dërguar vendin në zgjedhjet e parakohshme.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që ende nuk është botuar i plotë, e rrëzon Qeverinë e drejtuar nga Avdullah Hoti pasi e ka konstatuar si jokushtetuese votën e deputetit Etem Arifi në formimin e kësaj qeverie.
“Tani u takon institucioneve të Kosovës që t’i bëjnë hapat e ardhshëm përkatës, në përputhje me vendimin”, tha një zëdhënës i BE-së, transmeton Radio Evropa e Lirë.
“Është posaçërisht e rëndësishme që buxheti për vitin 2021 të miratohet dhe kalohet nga kjo përbërje e Kuvendit, sa më parë që të jetë e mundur.”
Siç transmeton REL, në BE nuk deshën të përgjigjen në pyetjen se a presin që këto zhvillime të ndikojnë në rrjedhën e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.