Zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë janë vlerësuar pozitivisht nga Bashkimi Evropian, derisa kritika ka patur ndaj komunave të banuara me shumicë serbe.
Një ndër kritikat ka qenë ndaj Listës Serbe për monopolizim, presione dhe kërcënim.
“E kemi parë që Lista Serbe e ka monopolizuar jetën politike të serbëve të Kosovës, madje ka pasur raste të kërcënimit dhe presioneve nga kandidatët e Listës Serbe dhe aktivistëve të tyre,” ka thënë Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Vëzhgim të Zgjedhjeve, Lukas Mandl.
Ditën e zgjedhjeve, vëzhguesit e BE-së, kanë vizituar 400 vendvotime në nivel vendi, tha ai, duke shtuar se votimi ka qenë i rregullt dhe i qetë përkundër disa shqetësimeve të vërejtura në një numër rasteve, siç ishte votimi me asistencë dhe votimi me dokumente të identifikimit me afat të skaduar, transmeton REL.
Ndërkohë, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian ka përgëzuar kosovarët për zgjedhjet paqësore.
“Këto zgjedhje komunale kanë dëshmuar se Kosova është një demokraci e vërtetë me një debat të vërtetë mes kandidatëve dhe partive politike që propozojnë politika alternative. Sot, më shumë se kurrë Kosova është shembull në kuptim të pluralizmit dhe standardeve demokratike për rajonin”, tha Viola ka thënë Viola von Cramon.