Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka përshëndetur arritjen e marrëveshjes në Ohër ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për të filluar zbatimin e planit evropian për normalizimin e marrëdhënieve.

Të dielën në Tiranë, Begaj priti Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të cilin e vlerësoi për “lidership dhe maturi” në arritjen e marrëveshjes në Ohër.

Siç transmeton Top Channel, zyra e Presidencës shqiptare bëri me dije se Begaj, “pasi u informua në detaje mbi negociatat e zhvilluara me Serbinë, të udhëhequra nga Bashkimi Evropian dhe të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përshëndeti lidershipin, maturinë dhe kurajon e treguar nga Kurti dhe ekipi negociator i Republikës së Kosovës, për ta pranuar planin evropian, si dhe për ta nënshkruar e zbatuar atë.”

Begaj shprehu besimin se zotimi i marrë nga palët në Ohër do të respektohet plotësisht, ndërkohë do të gjenden mekanizmat e duhur për ta kthyer këtë dakordësim publik në një marrëveshje të detyrueshme e të zbatueshme për palët ndërkombëtarisht.

Përpos presidentit shqiptar, edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka dhënë mbështetjen e tij për marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë.

Pas takimit me Kurtin, Rama tha se ka inkurajuar kryeministrin kosovar “për hedhjen e hapave të mëtejshëm”.

“I shpreha Albinit të gjithë simpatinë time për kurajon dhe realizmin me të cilin ka hedhur hapa me rëndësi të madhe drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. E inkurajova kryeministrin në hedhjen e hapave të mëtejshëm, qoftë për garantimin e komunave serbe në kornizën e asociacionit që garanton vetëmenaxhimin e komunitetit serb, qoftë për funksionimin me garancitë e nevojshme të Kishës Serbe në vendet e saj të kultit në Kosovë, duke e siguruar se në këtë proces jo të lehtë ai ka mbështetjen time më të plotë”, ka deklaruar Rama.

Rama gjithashtu njoftoi se të dy qeveritë janë pajtuar që mbledhja e ardhshme e përbashkët të mbahet gjatë muajit qershor.

Përveç takimeve me presidentin dhe kryeministrin shqiptar, Kryeministri Kurti të dielën në Tiranë u takuar edhe më kryetarne e Kuvendit, Lindita Nikolla.

Nikolla përgëzoi Kurtin për punët e mira që po bën qeveria e Kosovës si edhe durimin, qetësinë, maturinë dhe qëndrimet e guximshme në bashkëpunimin me BE dhe SHBA për të ardhmen euro-atlantike të Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *