Në rast se Presidenti amerikan Donald Trump merr pjesë në takimin e Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë atëherë mund të arrihet ndonjë marrëveshje e rëndësishme, thotë njohësi i çështjeve politike, Belul Beqaj.
Më 4 shtator pritet të mbahet takimi në Uashington në mes të Kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti dhe Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq.
“Nëse në takimin e Shtatorit do të jetë i pranishëm edhe presidenti Trump, siç po spekulohet, atëherë mund të kemi ndonjë marrëveshje të rëndësishme, por jo të njohjes reciproke”, është shprehur Beqaj për gazetën Zëri.
Ai tha se në procesin e dialogut Kosova nuk duhet të bëjë lëshime, përndryshme do të rriteshin apetitet e Serbisë.
“Nëse bëjmë lëshime serioze në këtë proces edhe kjo zgjidhje do të rritë apetitet e komunitetit serb për të arritur një status tjetër duke mos përjashtuar edhe referendumin për autonomi e pastaj edhe për shkëputje”, tha Beqaj.