Ftesa për t’u bërë pjesë e nismës “Ballkani i Hapur” do të jetë gjithmonë e hapur për të gjitha vendet e Ballkanit, ka theksuar Kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiq.
“Qytetarët që jetojnë në rajon do të përfitojnë jashtëzakonisht shumë nga kjo nismë”, tha Bërnabiq të hënën gjatë një takimi të Asamblesë Parlamentare të NATO-s që po mbahet në parlamentin serb, transmeton REL.
Nisma e bashkëpunimit “Ballkani i Hapur”, pjesë e të cilës janë Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, synon të arrij lirinë e lëvizjes për kapitalin, mallrat, shërbimet dhe njerëzit midis vendeve pjesëmarrëse.
Deri tani, Bosnje dhe Hercegovina, Kosova dhe Mali i Zi nuk kanë pranuar të bëhen pjesë e kësaj nisme.
Të arriturat e deritanishme të kësaj nisme janë vendosja për lëvizjen e qytetarëve me letërnjoftim ndërmjet Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, është nënshkruar marrëveshja për bashkëpunim në parandalimin dhe eliminimin e pasojave të fatkeqësive natyrore. Po ashtu, janë nënshkruar marrëveshje për bashkëpunim në lehtësimin e importit, eksportit dhe lëvizjes së mallrave në Ballkanin Perëndimor, si dhe një Memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi për qasje të lirë në tregun e punës.