Lajmin e publikuar një ditë më parë, ku thuhej se Serbia është pajtuar të ‘pezulloj’ fushatën për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës, e ka quajtur tendecioz Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq.
“Ju kërkoni nga unë të komentoj lajme jozyrtare, që janë publikuar në mënyrë tendencioze dhe në kohë tendencioze”, ka thënë Bërnabiq, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Sipas burimeve të REL në Bruksel, dje u raportua se Serbia ka pranuar të pezullojë fushatën e çnjohjeve të Kosovës, derisa pritet rifillimi i dialogut.
“E kam parë këtë lajm, por jo edhe burimin e këtij lajmi. Kur flisni për lajm nga Brukseli, unë nuk e di se çfarë do të thotë. A vjen nga Komisioni Evropian, nga Parlamenti Evropian, apo e ka thënë ndonjë njeri në rrugë dhe ne e marrim atë si burim të ligjshëm”, tha Bërnabiq.
Edhe ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, ka mohuar të enjten se Serbia ka ndalur fushatën e tërheqjeve të njohjeve të pavarësisë së Kosovës.