Nëse Rusia zgjedh ‘rrugën e agresionit’ atëherë do të përballet me ‘pasoja masive’, ka paralajmëruar Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
Blinken i ka bërë thirrje Rusisë që të angazhohet në diplomaci, derisa ka thënë se qëllimin përfundimtar të Kremlinit në raport me Ukrainën e di vetëm presidenti rus.
“Unë mendoj se i vetmi person që mund të na tregojë se cili është qëllimi përfundimtar i Kremlinit është presidenti [rus, Vladimir] Putin. Nuk mendoj se dikush tjetër e di”, ka thënë Blinken për REL.
Kryediplomati amerikan foli një ditë pasi Shtetet e Bashkuara zyrtarisht prezantuan përgjigjen e shkruar për ultimatumet e Rusisë, që u bën publike muajin e kaluar në formën e dy draft-traktateve.
Më 26 janar, ambasadori amerikan në Moskë prezantoi në Ministrinë e Jashtme ruse përgjigjen e shkruar të Uashingtonit.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se Putini e ka marrë përgjigjen e shkruar dhe do ta lexonte.
“Natyrisht, do të duhet një kohë për t’i analizuar. Të mos nxitohemi që të japim asnjë konkluzion”, citohet të ketë thënë Peskov nga agjencia e lajmeve TASS.
Në intervistën për REL, Blinken minimizoi çdo divergjencë të mendimeve apo konkluzioneve ndërmjet SHBA-së dhe Ukrainës mbi seriozitetin e kërcënimit rus.
Lexo më shumë këtu