Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara për liberalizimin e vizave dhe tani duhet të bëhet përparim në këtë çështje, ka thënë Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell.
Në një shkrim në bllogun e tij, Borrell shkruan në lidhje me takimin e Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së dhe darkës së zhvilluar me liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Së fundmi kemi parë frustrim në Ballkanin Perëndimor karshi BE-së dhe shtim të retorikës përçarëse. Duhet të rrisim përpjekjet tona për të sjellë regjionin më afër Bashkimit Evropian”, shkruan ndër të tjera Borrell.
Ai e thekson se çështja e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës është zgjatur më shumë se që duhej dhe se tani kërkohet progres për këtë.
“Do ta mbështes plotësisht këtë”, thotë Borrell.
Në blogun e tij, diplomati evropian shkruan se do të ndërmjetësoj edhe një takim të nivelit të lartë mes Beogradit dhe Prishtinës gjatë muajit qershor.
Lexo shkrimin e plotë këtu