Kosova dhe Serbia janë pajtuar të hënën në Bruksel se nuk duhen diskutime të tjera për të arritur qëndrime karshi propozimit të Bashkimit Evropian për normalizimin e raporteve mes dy vendeve.

Kështu ka deklaruar Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, pas takimeve me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Presidenti [i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq dhe kryeministri [i Kosovës, Albin] Kurti janë pajtuar se nuk ka nevojë për diskutime tjera për propozimin e BE-së që e ka titullin: marrëveshje për rrugën drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë. Pasi të dy liderët u pajtuan se nuk ka nevojë për më shumë diskutime, teksti i marrëveshjes do të publikohet”, tha Borrell në një paraqitje për gazetarë, transmeton REL.

Borrell tha se propozimi evropian, ndër të tjera, thotë se njerëzit mund të lëvizin lirshëm në Kosovë dhe Serbi, duke përdorur pasaportat e tyre, të njohura nga të dyja palët.

Sipas Bashkimit Evropian, palët kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të vazhduar me procesin e zbatimit të marrëveshjes.

“Duhen negociata të tjera për të përcaktuar modalitetet specifike të dispozitave. Borrell do të mbajë një takim të ri me dy liderët gjatë marsit, me qëllim të finalizimit të diskutimeve për aneksin e zbatimit, që do të jetë udhërrëfyes për fazën e zbatimit të marrëveshjes”, tha më pas BE-ja përmes një njoftimi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *