Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë se u takon palëve në dialog që t’i zgjidhin çështjet në mes tyre.
Gjatë një bisede me gazetarë të mediave nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, diplomati spanjoll është pyetur për qëndrimin e BE-së ndaj idesë së shkëmbimit të territoreve në mes Kosovës dhe Serbisë.
“Unë nuk shoh nevojën që ne të jemi më katolik se Papa. Nuk na takon neve t’u themi serbëve dhe kosovarëve se për çfarë duhet të pajtohen ata apo jo. Roli ynë do të jetë të lehtësojmë dialogun. Por siç thash nuk duhet të jemi më katolikë se Papa. Nëse ata merren vesh për diçka në duhet gjithsesi ta studiojmë atë marrëveshje, sepse secila marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës ka ndikim në rajon.” është përgjigjur Borrell në pyetjen e gazetarit nga DTTNet.
E më pas, siç transmeton Koha.net, kur është pyetur prapë për të sqaruar qëndrimin, pasi ky qëndrim mund të kuptohet si i kundërt me atë të deklaruar nga Gjermania, Borrell ka shtuar:
“Le të them se unë jam më shumë eklaktik. Ne duhet ta lehtësojmë dialogun dhe, siç thash, t’i marrim parasysh efektet kolaterale të çfarëdo lloj marrëveshje në pjesë tjera të rajonit, ku problemi i lëvizjes së kufijve ka qenë gjithmonë i ndjeshëm. Unë e kuptoj personalisht pozicionin e Gjermanisë dhe të tjerëve, por roli im, dhe i Përfaqësuesit tim të posaçëm është që ta lehtësojmë dialogun.”