Bashkimi Evropian ka shprehur qëndrimin e vet në lidhje me votimin e serbëve të Kosovës në referendumin për ndryshimet kushtetuese në Serbi.

Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka deklaruar se serbëve në Kosovë duhet t’u mundësohet votimi përmes lehtësimit nga OSBE siç ka ndodhur në të kaluarën.

Ai tha se ka biseduar një ditë më parë me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, lidhur me “grumbullimin e votave në Kosovë për referendumin kushtetues që mbahet të dielën në Serbi. Grumbullimi i votave në të kaluarën është bërë me lehtësimin e Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë. Qytetarët duhet të jenë në gjendje ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votimit”.

Të mërkurën, Kurti tha se serbët e Kosovës mund të votojnë në këtë referendum vetëm nëpërmjet postës apo zyrës ndërlidhëse serbe në Prishtinë.

Të dielën me 16 janar, Serbia mban një referendum në të cilin qytetarët e saj do të të deklarohen në pyetjen “a jeni për konfirmimin e aktit për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Serbisë?”.

Ndryshimet kanë të bëjnë me gjyqësorin dhe janë pjesë e përpjekjeve të Serbisë për t’u afruar me strukturat evropiane. Zyrtarë të BE-së thonë se ndryshimet kushtetuese të Serbisë duhet të sigurojnë një gjyqësor i pavarur, pa ndikime politike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *