Gjatë një bisedë me gazetarë nga vende evropiane, Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, iu përgjigj edhe pyetjeve në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi.

Ai tha se ky dialog është nisur nga BE-ja dhe “nëse Shtetet e Bashkuara duan të ndihmojnë, kjo është mirë, të na japin një dorë ndihme”.

I pyetur rreth idesë për shkëmbimin e kufijve, Borrell tha se BE-ja do të preferonte të ruhet gjendja e tanishme e tyre.

“Nëse filloni t’i ndryshoni kufijtë në një vend, atëherë edhe të tjerët mund të thonë se duan të njëjtën gjë. Pra, gjëja më e mirë për t’u bërë është ruajtja e status quo-së dhe të shihet se si do të shkojnë negociatat. Është e qartë se ne në BE do të preferonim të ruhet gjendja e tanishme sa u përket kufijve. Po ashtu, disa shtete anëtare janë kundër çfarëdo lëvizjeje në këtë drejtim”, tha Borrell, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Dialogu Kosovë-Serbi, i cili ka nisur qysh në vitin 2011 me ndërmjetësimin e BE-së, është ndërprerë qysh në fund të vitit 2018, për shkak të një takse që u ka vënë Qeveria e atëhershme e Kosovës prodhimeve të importuara nga Serbia.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *