Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar kanë arritur marrëveshjen tregtare në prag të largimit zyrtar të kësaj të fundit nga rregullat evropiane të tregtisë.

Marrëveshja shmang vendosjen e tarifave, kuotave dhe pengesave të tjera tregtare që do t’u kushtonin të dy palëve miliarda në tregti dhe qindra mijëra vende pune.

Qeveria britanike tha se “marrëveshja është një lajm fantastik për familjet dhe bizneset në çdo pjesë të Mbretërisë së Bashkuar”.

“Ne kemi marrë përsëri kontrollin e parave tona, kufijve, ligjeve, tregtisë dhe ujërave tona të peshkimit. Kjo do të thotë që ne do të kemi pavarësi të plotë politike dhe ekonomike më 1 janar 2021”, tha Qeveria britanike përmes një deklarate, transmeton REL.

Marrëveshja tregtare e arritur nga Britania dhe Bashkimi Evropian është “e drejtë dhe e ekuilibruar”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Van der Leyen.

“Unë gjithashtu besoj se kjo marrëveshje është në interes të Mbretërisë së Bashkuar. Ajo do të vendosë baza të forta për një fillim të ri me një mik afatgjatë. Dhe kjo do të thotë që ne më në fund mund ta lëmë Brexitin prapa nesh, dhe Evropa po vazhdon të lëvizë përpara”, tha ajo.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *