Kryeministrja serbe Ana Brnabiç ka reaguar pas kritikës së euro-deputetes gjermane Viola Von Cramon në lidhje me protestën e punëtorëve vietnamez të angazhuar në territorin e Serbisë.
“Në çdo prononcim ajo është kundër Serbisë, haptazi lobon për njohje të reja të pavarësisë së Kosovës dhe në të njëjtën kohë i komenton zhvillimet e brendshme në Serbi si është rasti me punëtorët kinez dhe ata vietnamez,” është shprehur kryeministrja serbe.
Ditëve të fundit, punëtorë sezonal vietnamez të angazhuar nga një fabrikë kineze në Serbi kanë protestuar për kushtet e këqija të jetesës dhe për faktin se rrogën e fundit e kanë marrë në muajin maj.
Euro-deputetja gjermane Viola Von Cramon e ka quajtur “krejtësisht të papranueshme,” që Serbia lejon në territorin e saj një fabrikë për të cilën raportohet se shfrytëzon punëtorë të trafikuar dhe të forcuar për të punuar.