Gjykata e posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në Shqipëri është shprehur të premten në favor të gjykimit të ish ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu lidhur me shpërthimin e ndodhur 13 vite me parë në një depo ushtarake në Gërdec.

Mediu ishte një nga të akuzuarit për shpërdorim detyre për ngjarjen e vitit 2008 ku shpërthimi në një pikë demontimi të municioneve në Gërdec (Vorë, Tiranë) u mori jetën 26 personave.

Çështja ndaj ish-ministrit Mediu është ri-hapur pasi Zamira Durdaj, e cila humbi të birin në ngjarjen e Gërdecit, e kallëzoi atë në SPAK, transmeton Euronews Albania.

Fillimisht Shkalla e Parë e Gjykatës së Posaçme e rrëzoi kërkesën e SPAK-ut për ta ri-gjykuar Mediun, me argumentin se kanë kaluar të gjitha afatet ligjore për rishqyrtimin e çështjes dhe se nuk ka prova të reja.

Gjykata pati arsyetuar se mungesa e imunitetit të Mediut, sidomos pas vitit 2019, nuk e ka penguar prokurorinë të nisë procedurat.

Kërkesës së SPAK-ut, për revokimin e vendimit të 2009-ës, Gjykata e Lartë ju përgjigj duke argumentuar se me ndryshimet kushtetuese dhe ligjore që kanë ndodhur, i takon Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të vendosë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *