Për shkak të situatës me koronavirusin, Departamenti Amerikan i Shtetit ka këshilluar qytetarët që udhëtojnë drejt Kosovës të kenë kujdes.
Në një kujtesë për udhëtimet, Departamenti i Shtetit thotë se Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) në SHBA ka lëshuar një njoftim ku Kosova vazhdon të përfshihet në nivelin 3 për shkak të COVID-19s.
Në kujtesë thuhet se Kosova ka hequr urdhrat e qëndrimit në shtëpi dhe ka rifilluar disa lloje transporti dhe operacione biznesi.
Gjithashtu, në njoftimin për kujdes këshillohet të rishikohen udhëtimet për në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan për shkak të mundësisë për trazira civile si pasojë e tensioneve etnike.
Grupet terroriste, thuhet në kujtesë, vazhdojnë të planifikojnë sulme të mundshme në rajonin e Ballkanit, përfshirë Kosovën, transmeton Zëri i Amerikës.