Kosova sot po shënon 14 vjetorin e shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt të vitit 2008.

Në këtë festë, Presidentja Vjosa Osmani ka uruar qytetarët e vendit.

“Sakrifica për shtetin tonë ka qenë jashtëzakonisht e madhe. Mbi 13 mijë civilë (të vrarë), prej të cilëve 1 mijë e 133 e më shumë fëmijë. Rreth 20 mijë gra të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës, shtëpi të shkatërruara e mbi 1,600 të zhdukur, janë plagë akoma e hapur e Republikës sonë. Liria jonë do të jetë e plotë atë ditë kur do të ketë drejtësi për të gjitha viktimat”, ka thënë Osmani.

Gjatë paradites, Osmani bashkë me Kryeministrin Albin Kurti dhe Kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufca, me pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë bërë ngritjen solemne të flamurit të Kosovës para objektit të Qeverisë.

Kryeministri Kurti ka thënë se krahas festës duhet përkujtuar edhe ata të cilët kanë punuar edhe luftuar për lirinë e popullit dhe pavarësinë e vendit, transmeton REL.

Të enjten, krerët e shtetit bënë homazhe në Prekaz, në vendlindjen e komandantit Adem Jashari.

Kosova ka shpallur pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008. Sipas listës së publikuar në ueb-faqen e Ministrisë së Punëve të Jashme dhe Diasporës, 117 vende të botës e kanë njohur atë.

Për 14 vjet shtetësi, Kosova është anëtarësuar në disa organizata ndërkombëtare, përfshirë financiare dhe sportive.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *