Sot, Shtetet e Bashkuara të Amerikës shënojnë 244-vjetorin e pavarësisë.
Këtë vit, ndryshe nga herët e kaluara, vendi është në gjendje jo të zakonshme për shkak të dy zhvillimeve: përhapjes së koronavirusit dhe fushatës për të larguar simbolet dhe monumentet e Konfederatës të cilat kujtojnë ditët e skllavërisë.
Vrasja e afro-amerikanit George Floyd nxiti protesta të shumta ku protestuesit kërkojnë ndryshime në sistem se si trajtohen qytetarët me ngjyrë.
Një nga përmendoret më të fundit që u hoq, ishte një statujë e Gjeneralit Jackson në Riçmond të Virxhinias, një shtet me më shumë përmendore të Konfederatës se çdo shtet tjetër. Punëtorët filluan të rrëzojnë statujën e gjeneralit të Konfederatës të mërkurën pasi kryetari i bashkisë së Riçmondit bëri thirrje për “heqjen e menjëhershme” të tij, transmeton Zëri i Amerikës.
Ndërsa, në fjalimin e mbajtur më 3 korrik, në Malin Rushmore vetëm një ditë para Ditës së Pavarësisë, presidenti Donald Trump u tha mbështetësve të tij se monumenti që ka të gdhendur figurat e katër presidentëve kurrë “nuk do të shkatërrohet”.
Në fjalimin e tij, Trump dënoi shkatërrimin e statujave nga “turmat e zemëruara” dhe “valës së dhunës” të parë në disa qytete.
Gjithashtu, ky përvjetor i pavarësisë shënohet kur në SHBA, 132,000 persona kanë humbur jetën nga koronavirusi, teksa numri i të infektuarve i është afruar shifrës 3 milion.