Të dielën, në Maqedoninë e Veriut pritet të miratohet qeveria teknike pasi të enjten dhanë dorëheqje Kryeministri Dimitar Kovaqevski dhe Kryeparlamentari Talat Xhaferi.

Në krye të qeverisë teknike do të vijë Talat Xhaferi, kryetar i deritashëm i Parlamentit. Në këtë mënyrë Maqedonia e Veriut do të ketë për herë të parë një kryeministër shqiptar, megjithëse me një mandat të përkohshëm prej 100 ditësh.

Në qeverinë e përkohshme teknike do të marrë pjesë VMRO-DPMNE-ja e opozitës me dy ministra dhe tre zëvendësministra që sipas kushtetutës njihen si “zëvendësministra plotësues”, transmeton VOA.

VMRO-ja opozitare e merr Ministrinë e Punëve të Brendshme, dhe ka propozuar Pançe Toshkovskin dhe Ministrinë e Çështjeve sociale me Gjoko Vellkovskin në krye të saj. Opozitës maqedonase i takojnë edhe tre zëvendësministra (plotësues): në Ministrinë e Financave, të Shoqërisë Informatike dhe të Bujqësisë.

Zoti Xhaferi, ndërkohë pas dhënies së dorëheqjen pritet ta njoftojë presidentin e vendit, Stevo Pendarovski, i cili duhet t’ia dorëzojë mandatin për formimin e qeverisë teknike:

“Me datë 27 (janar) i mandatuari duhet t’ia dorëzojë Parlamentit propozim-programin dhe propozim-përbërjen e qeverisë (teknike) dhe me këtë hapet rruga që me datë 28 janar, që përkon me ditën e 100-të para ditës së zgjedhjeve, të zgjidhet qeveria”, tha Talat Xhaferi, Kryetar në largim i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut.

Kryeministri në largim, Kovaçevski shpreson të fitojë zgjedhjet parlamentare të 8 majit dhe sërish të marrë postin e kreut të qeverisë. Ai tha se kishte qenë nder, krenari dhe përgjegjësi për të që ta drejtonte Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, ndërsa theksoi nevojën që shteti të ruajë rrugën strategjike, që është orientimi properëndimor dhe partneriteti me SHBA-të dhe që qeveria teknike “të kujdeset për qytetarët, sikur gjatë dy viteve të kaluara”.

“Kisha përgjegjësinë që ta drejtoj qeverinë gjatë një periudhe të jashtëzakonshme me turbulenca ndërkombëtare, por para së gjithash turbulenca ekonomike të shkaktuara nga lufta në Ukrainë”, u shpreh zoti Kovaçevski duke vlerësuar se qeveria e tij ia ka dalur me sukses t’i kapërcejë këto sfida.

.

.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *