Sinkronizimi i të gjithëve në kohën e makinës, i bind padronët e megaserverave, se munden me sinkronizue edhe gjithçka të jetës së përditshme, jetë e cila në fakt nuk meriton të quhet e tillë, pa ligjet e kaosit që ushqejnë rranjësisht çdo përpjekje për kozmos.

Nga Astrit Cani
www.panorama.com.al

N’adoleshencë kishim nji lojë, e cila kishte në thelb vetë ekzistencën. Zgjidhej nji shok, dhe në nji prej tokimeve të rregullta me ’të, zakonisht para darke, në t’errun mundësisht që atmosfera të ishte e duhuna, nji grup miqsh të afërt, ku njeni fliste i pari dhe të tjerët pohonin, i thoshte shokut të zgjedhun: a e din se s’ke kenë kurr ma afër vdekjes se sot, se itash. Pohimi ishte i vërtetë në nivel makro: sa ma shum kohë kalon, aq ma shum i afrohemi vdekjes, dhe kjo ka arsye të thjeshtë. Si ora e ranës, orana, ku sosin së derdhuni kokrrizat, ose si ai imazh i qirijve të poezia e famshme e Kavafit.

Ata që kanë qenë pjesë e ksaj loje në ’97n, kanë mendue shum gjana, dhe në nji vit të tillë, gjaja e fundit që kanë mendue, asht kenë kalimi i kohës. Mund të mendonim se kishin minue shatërvanin, ose se dikush kishte programue nji sulm në shkollë gjatë orarit të mësimit, ose se nji bandë nga rrethinat projektonte nji sulm pa shtab në qendër të qytetit, ku ne hanim ndoj hamburger ose pinim ndoj konjak te Shkrelt, me shpresë së nuk do të përfundonim në furgon të policisë.

Ajo që e bante nji gja të tillë me qenë lojë, ishte fakti se duke qenë se të venin në lojë shokt ma të ngushtë zakonisht, ata nuk të banin presion, të venin me shpatulla mbas muri, por nuk t’i lidhnin duert, si me thanë.

Merrni me mend tashti, 23 vjet mbrapa, kur vetë sistemi global, të thotë, orë e çast: nuk ke qenë kurr ma afër vdekjes se tash!! Dhe ajo që asht nji e vërtetë thelbësore e gjendjes së njeriut në ktë jetë, pra: kalimi i kohës si afrim drejt vdekjes, bahet nji e vërtetë shtypëse, e nji shtypjeje totale dhe totalitare, afërmendsh. Presioni dhe paniku total i qull të gjitha jetët, në ktë pedagogji të zezë, ku ata që kanë monopolin e botës virtuale, synojnë me marrë njiherë e mirë edhe monopolin e jetës reale. Ata që kanë monopolin e kohës tonë, synojnë edhe monopolin e hapsinës.

Krijohet ksodore versioni invers i globalizmit, me moton: rri n’shpi. Porsi nji shi i imët, nji piklinë e pareshtun që i lag të gjithë, ngase askush nuk e hap çadrën për dy pika shi, ky rigim, arrin me i qull të gjithë, ngaqë asht i papremë, konstant dhe me ritëm të programuem maksimalisht drejt njitrajtësisë.

Njitrajtësimi i çdo forme jetese, synon kthimin e të gjithë habitatit njerëzor në nji koloni bletësh, ku nuk prodhohet mjaltë, veç dyllë. Dyllë për sytë, për gojën, për veshët, për duert; dyll për çdo shqisë.

Në ktë dyllosje të krejt botës jetësore, i vetmi mjaltë asht koha e lirë, formë e pastër e kohës së lirisë.

Sinkronizimi i të gjithëve në kohën e makinës, i bind padronët e megaserverave, se munden me sinkronizue edhe gjithçka të jetës së përditshme, jetë e cila në fakt nuk meriton të quhet e tillë, pa ligjet e kaosit që ushqejnë rranjësisht çdo përpjekje për kozmos.

Ata që janë digital immigrant, si shkruesi i ktyne rreshtave, për hir të nji hierarkie mendore të trashëgueme, kanë nji lloj sensi kritik ndaj çdo forme totalitare, me filtër a pa filtër kjoftë. Ata që janë digital born, pavarësisht se refuzojnë çdo formë hierarkie, e ndoshta pikërisht prej ksaj, nuk arrijnë të konceptojnë asnji formë rebelimi. Janë të gjithë të rreshtuem ndaj masave anjerëzore të tipit tërhiqe e mos e këput, që sistemi vendos dhe mbivendos kinse duke iu përshtatë vëzhgimeve empirike të jetës së përditshme, por në fakt duke përshtatë jetën e përditshme ndaj formave të reja të kontrollit total.

E pra brezi i ri, që mund të quhet i ri vetëm në kuptimin kronologjik apo anagrafik, nji brez i lindun në ndotjen e plotë të reales me virtuale, i cili, brez, përditë e ma shum, ka vështirësi me e ba dallimin mes virtuales dhe reales, dhe natyrisht e ka të pamujtun me ba dallimin hipostatik mandej, mes reales dhe ideales, prej të cilit përftohet edhe çdo lloj hierarkie vlerash – ky brez po thoshim, rebelohet ndaj çdo hierarkie, ndaj familjes, shoqnisë, historisë, traditës, ndaj çdo gjaje, por nuk gjejmë nji rast të vetëm, kur ai të jetë rebelue ndaj neototalitarizmit të ri që po zvetënon orë e çast, at pak çka mbetej prej jetës së përditshme të banorëve të ktij planeti alien.

Por tragjedia e vërtetë nuk asht e tyne, meqë ata e marrin si lojë virtuale, videogame, e në fakt kjo asht lojë reale, play, por dallimin e ban veç mendja e pajisun me ideal.

Tragjedia e vërtetë e ksaj kohe të pajetueshme, asht fakti se fmitë po instruktohen bash në moshën kur fillojnë me xanë mend, pra në klasë të parë, po msohen me ia kthye shpinën njeni-tjetrit. Në kjoftë se sakatimi social i globalizimit 1.0, deri më tash kishte prodhue birin e vetëm me prind të divorcuem që bahet 40 pa dalë prej bankave të shkollës dhe që ban si artist me asistencën e detyrueshme sociale dhe ekonomike të prindit, turboglobalizmi 2.0 e izolon njeriun e ri edhe në raport me veten.

Të instruktuem mos me bashkëveprue në asnji rast me kë kanë afër, por vetëm në mënyrë vërtikale me ke kanë mbi krye, në pushimin e madh, kta fmijë, nuk lozin ma mesveti, nuk zgjedhin shokët, nuk ndahen në skuadra, ndahen në monada, në monada pa dritare – kur thotë Leibnizi. Natyrisht vrapojnë, por vrapojnë vetëm, pa drejtim, pa harmoni me njeni-tjetrin, pa gramatikë, skllevën të nji sintakse algoritmike të diktueme prej kompjuterit.

Asht kjo pedagogji e zezë që i orienton dhe i ban me besue se e vetmja dritare e mundshme për kto monada asht dritarja e virtualitetit, e vetmja kohë e tyne asht koha që i kushtojnë pajisjeve kompjuterike, makinave inteligjente. Nji skenar kaq total, i cili nuk i kishte shkue në mend as krijuesve të serisë distopike Black Mirror, dhe as aradhës gjeniale të shkrimtarëve vizionarë, prej rusit Zamjatin që e përuron zhanrin deri te madhështori James Ballard që i ven kapak, skenar a play që fillon e vetëushqehet, dhe nuk len ma vend për interpretim. Vetëushqehet pikërisht në sajë të vitalizimit dhe revitalizimit që i ban forca e kontradiktës. Asht kaq i mbushun me kontradikta, saqë njerëzve iu duket ma real se realja, dhe si i tillë, i paskualifikueshëm.

Në ktë prizëm, në kontradiksionin total, ky sistem i ri totalitar, rezulton si nji ringjallje e projektit të vjetër nacional-socialist të Reichut mijëvjeçar. Ngaqë në kjoftë se totalitarizmat e shekullit të XX u vetëshkatërruen pikërisht ngase ishin koherentë me premisat prej kah kjenë nisë, ky totalitarizëm i ri, që i tradhëton premisat e tij që në krye të herës, ka shum gjasa me qenë ai definitivi. Njiherit, në kjoftë se Roma e Bizanti jetuen gati njimijë vjet, kjo ndodhi ngaqë 40 breza elitash luftuen për to. Por kjo perandori e re, mundet me i rrokë mijëvjeçarët, ngase për te luftojnë vetë nënshtetasit, me njeni-tjetrin.

Shfaqet në horizont agimi i nji mesjete të pasosun, i nji teologjie antilogjike, dhe thelbësisht sataniste, kur pritjen e Mesias si mesues pra ndërmjetës mes Hyut dhe robit, e zen pritja e vaksinës, ksaj indulgjence të re universale. Indulgjenca kto që nuk blehen ma të treg të lirë, por prenotohen, çka as mesjeta vetë nuk kishte arritë me ba.

Ka që pyesin kush asht truni i ktij lavazhi truni. Asht ma shum se lavazh, kam përshtypjen. E gjitha kjo bazohet te pjesa ma dekadente e vetë mendjes njerëzore. Po shpike pranga të reja, asht shum e lehtë me ia shitë njeriut si xhevahire. Liria asht shkrettinë, dhe shumica preferojnë rehatinë e burgut, me nji dritare qiell të piktueme në mur, ku herë mbas here, shohim mirazhe.

Kanë dymijë vjet që e mbajnë Krishtin në kryq, dhe thonë u ngjall por nuk e besojnë deri në fund, nuk e lanë të lirë, sepse nuk arrijnë me lirue veten. Thonë u kryqzue për mëkatet tona, por harrojnë se lajmi i mirë asht: u ngjall për ne. Vetë shqipja e skjaron kte, kur lajmin e mirë e quen ungjill pra u ngjall. Dhe nuk ka mëkat ma të madh se mos me e jetue jetën.

Asht pra shum e lehtë me iu lanë maskat në ftyrë përjetsisht, ngase harrojnë leksionin themelor të çdo religjioni: njeriu asht shëmbëlltyra e krijuesit, pra kurr ma skllevën! Iu duket bukur me qenë skllevën në emër të shkencës, skllavni e re!!

Vetë Darvini nuk e ndalonte evolucionin e tij te njeriu, por thoshte se mbasi majmuni arrin të bahet njeri edhe njeriu arrin të bahet engjull. Ky asht edhe thelbi i mbinjeriut të Nietzsches.

Sigurisht që satanistave ju intereson me e kthye njeriun mbrapsht, pra, rishtaz drejt majmunit.

Franz Kafka dallonte dy seri shpikjesh teknike: ato që priren me ngjallë komunikimin e natyrshëm duke triumfue mbi distancat dhe duke bashkue njerëzit (treni, makina, avioni), dhe ato që përfaqësojnë hakmarrjen vampireske të fantazmës ku ndërkallet “elementi fantazmor mes njerëzve” (posta, telegrafi, telefoni, telegrafi pa fije)… hic!! interneti. E pabesueshme, çar favorizimi total i bahet komunikimit me anë të fantazmave, në dam të komunikimit të natyrshëm, sidomos në kohën tonë, dhe ka rrezik se në nji të nesërme komunikimi i natyrshëm ka me u dukë arkeologji.

Avicena e thoshte thjesht: inteligjencat janë të veçanta, intelekti asht nji. Pra ishim në nivel intelektiv të lidhun, ma fort dhe ma mirë, se ç’jemi të lidhun tash falë makinës, mbas makinës.

Koha e makinës asht infiniti negativ, pedagogjia e zezë, teologjia satanike. Dhe besoj, me gjithë forcën e sinqeritetit tem, se at që dikur Mary Shelley e quente Frankenstein, asht koha me e quejtë me emrin ungjillor Antrikrisht.

Milano, tetor 2020

* Astrit Cani është shkrimtar dhe përkthyes shqiptar, themelues i librarisë Furra e Books

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *