Brenda dy viteve, konflikti Ukrainë-Rusi duket se u kthye në një rutinë për popullsinë e botës
Aleksandra Peshtani
gazeta-shqip.com
Kur tanket ruse nisën marshimin drejt kufirit ukrainas dhe avionët ushtarakë lëshuan “ulërimat” e tyre mbi qiellin e Kievit, shumë pak mund ta besonin se çfarë po ndodhte.
Më 24 shkurt të vitit 2022, mendimi se një konflikt i armatosur do të niste në Evropë ishte i paimagjinueshëm, e megjithatë, atë ditë u kthye në realitet. Presidenti Vladimir Putin do të shkruante faqe të reja në librat e historisë, e po ashtu, do të kthehej në një ndër njerëzit më të urryer në botë.
Por sot, teksa mbushen plot dy vjen nga ajo ditë e errët për Ukrainën, kjo luftë është kthyer thjesht në një fakt të pakëndshëm të jetës. Shumë shpejt, zemërimi i publikut për sulmet me raketa në qytetet e Ukrainës u zvogëlua dhe imazhet tronditëse të masakrave nuk përbënin më interes.
Njerëzit e zënë me rrëmujën e jetës së përditshme thjesht u mësuan me tmerrin ndërsa konfliktet e tjera tërhoqën vëmendjen e botës. Sytë e të gjithëve u kthyen nga lufta në Rripin e Gazës, aty ku Izraeli dhe Palestina kanë luftuar prej vitesh, por në 7 tetor 2023, zhurma e tyre ishte më e madhe, se ajo e Ukrainës.
Tashmë protestat në mbështetje të Ukrainës janë gjithnjë e më pak të dukshme, dhe ka gjithnjë e më pak flamuj ukrainas të ekspozuar, madje në disa vende, ata tani janë zëvendësuar me flamujt palestinezë.
Ndërsa perceptimet për luftën kanë evoluar, po ashtu ka evoluar edhe imazhi i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.
Më herët ai shihej si një hero absolut, dhe ishte pothuajse e pamundur të imagjinohej ndonjë artikull që kritikonte Zelensky-n, fytyra e të cilit zinte kopertinat e revistave dhe gazetave më të mëdha në botë. Me veshjen e tij ushtarake, larg imazhit të një lideri shteti të kullarisur, Zelensky do të hynte në zemrat e të gjithë botës, sigurisht, përveç liderishipit rus.
E megjithatë, ashtu siç konflikti Ukrainë-Rusi u kthye në një rutinë për masën, edhe figura e Zelensky-t nisi të bjerë. Ai është ende një hero, thjesht një hero më i largët, heroi i dikujt tjetër.
Kur Zelensky nisi t’i drejtohej parlameteve botërore me fjalime, ai merrte ovacione të mëdha, duartrokitje që zgjasnin dhe mbështetje. Tashmë, jo vetëm që nuk ka më ovacione, por kërkesat e tij për të marrë pjesë në evente po refuzohen gjithmonë e më shumë.
Nga të qenit hero dhe shpëtimtar, Zelensky rrezikon të bëhet njeriu që urdhëroi të tjerët për vdekjen e tyre. Mobilizimi që ndihmoi Ukrainën të mbijetonte në vitin 2022, dhe madje e lejoi atë të rimarrë territorin, tani shihet nga disa si arsyeja pse humbën të dashurit e tyre.
Shumë shpejt bota duket se e pranoi këtë konflikt si pjesë të jetë së përditshme dhe na ndodh rëndomë të dëgjojmë njerëz që pyesin “A mbaroi lufta në Ukrainë?”, në dukje kuriozë për të mësuar, por në fakt aspak të interesuar.
.
.