Kryesuesi i komisionit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve në SHBA, Eliot Engel, është shprehur i shqetësuar me  mënyrën se si administrata aktuale e Presidentit Donald Trump po sillet kundrejt ngjarjeve politike në Kosovë.

“Prandaj, po shqetësohem gjithnjë e më shumë me taktikat e ashpra që po i përdor administrata Trump kundruall Prishtinës. Departamenti i Shtetit ka kërkuar tash e sa kohë që Kosova t’i heqë tarifat. Por, kjo administratë përdori ndëshkime ekonomike vetëm pak javë pasi qeveria Kurti mori pushtetin. Në vend se ta linte qeverinë e re të merrej me pandeminë (COVID-19), me agjencitë dhe të niste procedura të brendshme, Shtetet e Bashkuara i kontribuuan krizës politike në Prishtinë, për shkak të tarifave ndaj Serbisë” ka shkruar, ndwr tw tjera, Engel, transmeton Zëri i Amerikës.

Engel shkroi se në vend të përdorimit të taktikave të rrepta me një shtet mik, që mbështetet tek përkrahja amerikane, Shtetet e Bashkuara është dashur të punojnë me durim me qeverinë tani në largim për përmirësimin e politikave që promovojnë mirëqenien dhe paqen afatgjatë.

“Për më tepër, trysnia mbi Prishtinën rreth tarifave është tejet i pa drejtpeshuar. Diplomatët serbë janë duke e shëtitur globin, për t’i nxitur shtetet që ta çnjohin Kosovën dhe Serbia është duke i thelluar marrëdhëniet e saj me Moskën teksa po blen sasi të konsiderueshme armatimesh ruse”, shkroi ai duke theksuar se këto blerje armësh do të duhej të pasoheshin me sanksione mbi Serbinë. “As që i kemi vënë këto sanksione dhe as nuk e kemi nxitur Serbinë më fuqishëm që t’u japë fund përpjekjeve të veta për çnjohje”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *