Brenda Evropës ka mjaft modele të cilat mund të përdoren si zgjidhje stabile në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ka deklaruar i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

“Ne mendojmë se brenda Evropës ekzistojnë mjaft modele që mund të përdoren për të gjetur një zgjidhje stabile dhe produktive për të gjitha palët e përfshira”, ka thënë Escobar.

Ai u shpreh kështu të mërkurën pas takimeve me Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe me Presidentin serb Aleksandar Vuçiq në Bruksel.

Escobar ka thënë se në takim me Kurtin është diskutuar edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Sipas tij, Asociacioni duhet të formohet në përputhje me ligjet dhe kushtetutën e Kosovës, transmeton REL.

Ndërsa, pas takimit me Escobar dhe me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Miroslav Lajçak, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se nga shtatori mund të largohet lëshimi i dokumenteve në pikat kufitare me Serbinë.

“Është e mundshme që më 1 shtator nuk do të lëshojmë dokumente, sepse edhe Serbia do të heqë dorë prej lëshimit të dokumenteve në vendkalimet kufitare me Kosovën. Ne dëshirojmë marrëdhënie reciproke”, ka thënë Kurti.

Të enjten, Kryeministri Kurti do të takohet me Presidentin Vuçiq në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *