Organizata ETEA ka shprehur shqetësimin rreth mbarvajtjes së testit të arritshmërisë duke raportuar se sipas bisedave të realizuara me nxënësit mësohet se ka patur kopjim “në përmasa masive”.
“Në komunikimet më të thjeshta të stafit të organizatës ETEA me nxënësit/et që i janë nënshtruar këtij testi, kuptohet se format e mashtrimit janë evidente dhe kopjimi në këtë test ishte në përmasa masive”, thuhet në njoftimin e organizatës.
Testi i arritshmërisë për nxënësit e klasëve të 9-ta u mbajt ditë më parë në gjithë Kosovën në gjithsej 156 qendra të testimit.
Në reagimin e organizatës bëhet e ditur se pas bisedave me nxënës që ishin pjesë të testit, mësohet se ka patur raste kur edhe administruesit e testit kanë mundësuar kopjimin e nxënësve gjatë testimit.
“Gjithsesi, organizata ETEA rezervohet nga qendrimet përkatëse lidhur me deklaratat e nxënësve për administruesit/et e testit, vetëm se i bëhet thirrje publike Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, përfshirë Drejtorive Komunale të Arsimit, që të zhvillojnë komunikime me nxënësit/et dhe të zbulojnë më shumë informacion”, thuhet në reagim.