Në një letër drejtuar Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deputetë evropian kanë kërkuar hetim për dyshimet se zyrtarë të Bashkimit Evropian kanë përkrahur dhe bashkëpunuar në idenë për ndarjen e Bosnje Hercegovinës.
Presidentja Von del Leyen ka mbështetur kërkesën për hetim.
Siç transmeton Euronews Albania, në letrën publikuar të mërkurën, deputetë të Parlamentit Evropian thonë se dokumente që kanë rrjedhur tregojnë se Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, hapur ka bashkëpunuar me liderin serb në Bosnje, Milorad Dodik për një ndarje të mundshme të Bosnje Hercegovinës.
“Raporti tregon se Komisioneri Varhelyi ka ‘rënë dakord’ me Dodik për datën e një sesioni special në Asamblenë Kombëtare të Republikës Srpska ku të bëhej publik një moratorium 6 mujor për ndarjen”, thuhet në letër.
Në tetor, Dodik, anëtari serb i Presidencës, bëri thirrje për tërheqjen e Republikës Srpska nga institucionet kyçe në vend dhe krijimin e institucionet paralele, që shkelin traktatin e paqes dhe Kushtetutën.
Muajin e kaluar, kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban tha se vendi i tij do t’i ofrojë Republikës Srpska 100 milionë euro ndihmë financiare dhe se do të bllokonte çdo përpjekje të BE për të vendosur sanksione ndaj Dodik.