Në një intervistë për INC rrjetin, eurodeputeti austriak Lukas Mandl ka thënë se marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë sjell njohjen reciproke dhe liberalizimin e vizave për Kosovën,

“Pasi është e qartë se qytetarët e Kosovës, si shqiptarët e po ashtu edhe serbët, janë kundër idesë së ndryshimit të kufijve, kjo si e tillë nuk është fare në agjendën e BE-së dhe as në atë të zotit Lajçak. Marrëveshja finale të jetë brenda Kushtetutës së Kosovës, që është negociuar nga z. Ahtisari mu në qytetin tim Viena dhe është një kushtetutë shumë moderne, ndoshta më modernja në Evropë”, ka thwnw Mandl i cili shtoi se Brukseli është i vetëdijshëm për sistemin e dështuar në Bosnjë e Hercegovinë dhe nuk do të lejoj një gjë të tillë në Kosovë.

Në kuadër të serisë së emisioneve ‘Ura, Dialogu Civil Prishtinë – Beograd’, INC rrjeti ka realizuar intervistën ekskluzive me anëtarin e Parlamentit Evropian, austriakun Lukas Mendl, i cili fitoi mandatin e dytë në zgjedhjet evropiane të 2019-ës. Si përfaqësues i Partisë Popullore të Austrisë (Austrian People’s Party -ÖVP) është pjesë e parlamentit evropian që nga viti 2017, kur e fitoi mandatin e parë.

“Kam biseduar personalisht me z. Lajçak në lidhje me qëndrimet e tija në të kaluarën, që për hirë të vërtetës ai i ka pasur si ministër i shtetit të Sllovakisë që është një nga pesë shtetet e BE-së që nuk e ka njohur Kosovën, por tani unë ia kam bërë të qartë dhe po ashtu edhe vet z. Lajçak është i vetëdijshëm se tani përfaqëson Bashkimin Evropian, është zgjedhur nga Parlamenti Evropian dhe ai duhet dhe do të përfaqëson Parlamentin Evropian, dhe shumë vendimet pozitive që ky parlament i ka marr në të kaluarën. Prandaj besoj se, së paku, z. Lajçak meriton një rast sepse besoj që ai do të jetë një negociator i drejtë dhe i paanshëm”, përgjigjet Mandl në pyetjen mbi skepticizmin e shprehur nga opinioni publik kosovar në caktimin e diplomatit sllovak si përfaqësues i Brukselit për arritjen e marrëveshjes në mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Ju si shtet i Kosovës synoni të jeni anëtar i Bashkimit Evropian prandaj duhet që të pranoni vendimet pozitive që vijnë nga Brukseli e që kanë si qëllim ndihmën që ju të arrini qëllimet e juaja”, është shprehur Mandl.

Në intervistën e realizuar si pjesë e emisioneve të serisë ‘Ura, Dialogu- Prishtinë Beograd’, eurodeputeti Mandl është shprehur qartë për të ardhmen evropiane të Kosovës si dhe gjithë rajonit, e poashtu ka hedhur poshtë mundësinë që të ketë çfarëdo marrëveshje që bazohet në ndarje etnike, qoftë ato të ndryshimit të kufijve apo edhe riaranzhimin e karakterit qytetar të Republikës së Kosovës:

“Nuk ka komuna serbe apo komuna shqiptare në Kosovë. Kushtetuta e Republikës së Kosovës thotë se komunat janë të qytetarëve pa marr parasysh përkatësinë e  tyre etnike apo religjioze, pra komunat e Kosovës janë të qytetarëve të Kosovës pa marr parasysh se cila përkatësi etnike apo religjioze është në shumicë. Duhet që të punohet në nivelin lokal për përmisimin e jetës së përditshme të qytetarëve. Republika e Kosovës i ka kufijtë e vet të përcaktuar, që janë të vendosur edhe në flamurin e saj shtetëror, për më shumë Kosova ka një kushtetutë shumë moderne, ndoshta më modernen në Evropë që ijep shumë të drejta qytetarëve dhe kombeve, prandaj brenda kësaj kushtetute duhet të arrihet marrëveshja dhe jo ndryshimi i kufijve, pasi që në fund të procesit si Kosova, po ashtu edhe vendet tjera në Ballkanit Perëndimor, do të bëhen pjesë e bashkimit Evropian dhe atëherë kufijtë do të zhduken krejt”, është shprehur eurodeputeti austriak Lukas Mandl.

Intervistën e plotë të realizuar si pjesë e emisioneve të serisë ‘Ura, Dialogu- Prishtinë Beograd’ mund ta dëgjoni më poshtë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *