Në ora 19:00 ka përfunduar koha për votime në zgjedhjet e parakohshme të mbajtura sot në Kosovë.

Menjëherë pas përfundimit të orarit zyrtar të votimeve, janë publikuar disa parashikime të Exit Polleve kryer nga mediume dhe organizata të ndryshme.

Ajo që kanë të përbashkët këto parashikime është shpallja fitues e Lëvizjes Vetëvendosje me 50 apo më shumë mandate në parlamentin e ardhshëm të Kosovës.

Projeksioni i mediumit KOHA e shpall partinë VV me më shumë se 50% të votave.

Përkthyer në ulëse në Kuvendin e Kosovës, VV-ja pritet të fitojë 58 deputetë. Në përqindje, VV-ja do të ketë 50.7 për qind të votave.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë në garë të ngushtë për pozitën e dytë. PDK-ja, sipas projeksionit, pritet të dalë e dyta me 15.4 për qind, ndërsa LDK-ja e treta me vetëm 0.3 për qind më pak. Sipas kësaj, të dy partitë do të kenë nga 17 ulëse në Kuvend.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të jetë po ashtu pjesë e Kuvendit. Ajo pritet të marrë 6.8 për qind të votave, apo 8 deputetë.

Nisma Socialdemokrate, sipas projeksionit të KOHËS, nuk e ka kaluar pragun, pasi ka marrë më pak se 3 për qind të votave.

Sipas Exit Pollit nga PIPOS, publikuar në televizonin KlanKosova, Vetëvendosje merr 41.8% të votave, PDK 16.5%, LDK 15.2%, AAK 7.2%, Nisma 2.6% dhe Komunitetet pakicë 16.7%.

Ndërsa, Exit Polli i gazetarit Baton Haxhiu nga “Albanian Post”, publikuar në televizionin Kanal 10, e nxjerr Vetëvendosjen me 53% të votave. Më pas, PDK me 20 %, LDK me 17 %, AAK 7 % dhe NISMA 2 %.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *