George Floyd ka vdekur për shkak të mënyrës se si polici e kishte ndaluar atë, ka thënë një ekspert mjekësor gjatë gjykimit të ish policit Derek Chauvin në Minneapolis të SHBA-ve.
Ish oficeri i policisë i ka mohuar akuzat ndaj tij gjatë gjykimit, ku ai akuzohet për vrasjen e Floyd.
Gjatë majit të vitit të kaluar, polici i bardhë Chauvin ishte filmuar derisa kishte arrestuar afro-amerikanin Floyd dhe kishte vendosur gjurin në qafën e tij për më shumë se nëntë minuta.
Pamjet e kapura në kamerë nxitën protesta globale kundër racizmit.
Gjatë gjykimit, të premten, prokuroria ftoi edhe ekzaminerin mjekësor Dr Andrew Michael Baker i cili kishte bërë ekzaminimin post-mortem të Floyd.
Siç transmeton BBC, Baker tha se vdekja e Floyd kishte ndodhur për shkak të bashkëveprimit me forcat e ligjit, por theksoi se përdorimi i drogës nga ai dhe problemet me zemrën kishin patur rol në vdekjen e tij.