Një numër i madh i udhëheqësve në Evropën Qendrore dhe atë Lindore nuk pretendojnë më të funksionojnë sipas rregullave demokratike.

Kështu thotë raporti vjetor “Vendet në Tranzicion” publikuar nga Freedom House.

 “Ne arritëm në përfundimin se udhëheqësit dhe politikanët në rajon, po heqin dorë edhe nga fasada e demokracisë. Kjo do të thotë që maskat janë hequr. Udhëheqësit dhe politikanët nuk po fshihen më as pas respektimit formal të demokracisë, duke sulmuar hapur institucionet demokratike”, tha për Zërin e Amerikës, Michael Smeltzer, analist kërkimor i raportit.

Ai u shpreh se përfundimet e raportit për vitin 2019 janë shkurajuese.

Katër vende kanë ndryshuar regjim: Polonia që doli nga kategoria e demokracive të konsoliduara, duke u shndërruar në një demokraci gjysmë e konsoliduar. Ndërkohë Hungaria, Serbia dhe Mali i Zi kanë dalë plotësisht nga grupi i vendeve demokratike dhe tani janë të klasifikuara si regjime hibride/demokraci në tranzicion.

Ndërkohë, raporti i bërë publik të mërkurën, thotë se disa nga vendet e Ballkanit shënuan rënie në nivelin e demokracisë gjatë vitit 2019.

Smeltzer thotë se përmirësimet në Ballkan ishin në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut.

“Të dyja vendet patën ngritje në kategorinë e medias, ku ekspertët panë një përmirësim afatgjatë”, thotë ai.

Kosova është po ashtu në grupin e regjimeve hibride/demokraci tranzicionale. Nga 3.11 pikë një vit më herët, këtë vit vlerësimi për të ishte 3.18.

Smeltzer e pranon që mjedisi politik në Kosovë është bërë më i komplikuar sidomos përsa i takon votës së mosbesimin ndaj Kryeministrit Albin Kurti dhe ndikimit të COVID-19.

“Ne do ta ndjekim me kujdes trajektoren demokratike të vendit dhe do të shohim me kujdes se si do të zhvillohen ngjarjet përsa u takon institucioneve demokratike”, thotë ai.

Lexo më shumë këtu

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *