Presidenti serb Aleksandar Vuçiq deklaroi të premten se zhvillimet politike në Evropë po shkojnë në dëm të Serbisë.

Pas takimit me Kancelarin gjerman Olaf Scholz në Beograd, presidenti serb tha se është befasuar që tani edhe Gjermania, sikurse Shtetet e Bashkuara, kërkojnë që marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë të sjellë edhe zgjidhje për njohjen reciproke mes dy vendeve.

“Askush në Evropë s’e ka kërkuar këtë deri më sot kur dëgjuam atë që u tha në konferencën në Prishtinë. Kjo njohja e ndërsjellë është befasi edhe për ne”, tha Vuçiq të premten, transmeton Klan Kosova.

Vuçiq tha se e ka pritur arritjen e kësaj situate.

“Gjermania është e fuqishme dhe ne jemi të vegjël. Gjërat po shkojnë në dëm të Serbisë, ashtu siç e kam paralajmëruar. E kam ditur që do të vijë deri te ky moment”.

Gjatë vizitës së tij në Prishtinë, kancelari gjerman Scholz theksoi se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë në fund duhet të sjellë edhe zgjidhje për njohjen mes dy vendeve sepse ndryshe nuk mund të ketë anëtarësim në Bashkimin Evropian të dy vendeve që nuk njohin njëra tjetrën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *