I dërguari i Shteteve të Bashkuara për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka shprehur shpresën e tij se gjatë Samitit të Parisit, këtë të premte, do të kompletohet çështja e liberalizimit të vizave për kosovarët.
“Jemi të kënaqur të shohim evropianët të mbledhin një takim më 10 korrik për bisedime të mëtutjeshme me Kosovën dhe Serbinë. Ne ofrojmë tërë përkrahjen tonë dhe jemi falënderues për lidershipin e tyre. Shpresojmë që çështja e rëndësishme e liberalizimit të vizave do të kompletohet në këtë takim” ka shkruar Grenell në Twitter.
Ai, gjithashtu, ka theksuar rëndësinë e normalizimit të çështjeve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe ka shprehur shpresën se “europianët do të bëjnë të implementohen marrëveshjet e arritura më parë për [komunikacionin] ajror, hekurudhor dhe atë tokësor”.
Këtë të premte pritet të mbahet Samiti i Parisit, derisa dy ditë më vonë, më 12 korrik, pritet të mbahet takimi i lartë ndërmjet Kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.