Gripi sezonal ka shkaktuar vdekjen e 7 personave në Klinikën Infektive, derisa një fëmijë që ka pasur probleme me zemër ka  ndërruar jetë pasi ishte edhe i prekur nga gripi.

Aktualisht dy persona janë në gjendje të rëndë për shkak të gripit, derisa 13 po marrin trajtim në Klinikën Infektive, transmeton gazeta Zëri.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në vend ka bërë të ditur se gripi në Kosovë ka kaluar pragun epidemik.

Drejtoresha e Klinikës Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Lindita Ajazaj-Berisha, ka thënë për gazetën Zëri se ka fluks më të shtuar të rasteve të prekura me grip.

Ajo ka bërë të ditur se pesë rastet që kanë përfunduar me vdekje kanë pasur edhe probleme të tjera shëndetësore, ndërsa njëri rast nuk ka pasur sëmundje shoqëruese, vetëm influencë A.

“Prej muajit dhjetor deri tani kemi 6 raste të vdekjes. Ata janë konfirmuar me influencë A. Katër prej tyre kanë pasur edhe sëmundje paraprake kronike, të cilat për ne kanë qenë të njohura. Një rast i moshës së re ka pasur gjendje postoperative, ndërsa në ndërkohë është shfaqur influenca A, ku ka pasur edhe përkeqësim të gjendjes. Një rast është se nuk kemi pasur sëmundje shoqëruese, pra ka pasur influencë A, por pa sëmundje shoqëruese” ka potencuar ajo.

Nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike është bërë e ditur se nga 1 tetori i vitit të kaluar deri më 9 shkurt të këtij viti në këtë Institut janë testuar gjithsej 522 mostra të dyshimta në grip, prej të cilave 214 mostra kanë rezultuar pozitive, prej të cilave 98 pozitive në grip A dhe 116 pozitive në grip B.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *