Ministria e Arsimit (MASHTI) do të pres rekomandimet e Institutit të Shëndetësisë (IKSHPK) për të marr një vendim për hapjen e çerdheve të cilat po qëndrojnë të mbyllura për shkak të koronavirusit.
“Sa i përket hapjes së shkollave dhe çerdheve, kjo do të varet nga rekomandimet që jep Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK), në varësi të situatës me pandeminë”, ka thënë për Telegrafin, zëvendësministri i MASHTI, Jusuf Thaçi.
Ai ka thënë se mësimi në distancë parashihet të vazhdoj deri në përfundim të këtij viti shkollor, i cili për një pjesë të klasave do të duhet të përfundonte më 11 qershor, dhe për nje pjesë tjetër më 26 qershor.
Për maturantët ky vit shkollor përfundon më 20 maj 2020, ndërkaq MASHTI dje ka njoftuar se provimi shtetëror i Maturës do të mbahet në javën e parë të muajit korrik.