Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, deklaroi të hënën se Serbia duhet të mendojë se ku qëndron e ardhmja e saj dhe nëse “ky pozicion neutral” i Beogradit zyrtar është i qëndrueshëm.

Ai tha se në këtë mënyrë, Serbia duhet të marrë vendimin e vet.

Siç transmeton REL, Hill u tha gazetarëve në Beograd se ajo që ndodhi në Ukrainë “është sulm brutal ndaj atij vendi dhe vazhdimi i vrasjes së civilëve, është diçka krejtësisht e papranueshme në këtë shekull”.

“Të gjithë jemi të vetëdijshëm se bota ka ndryshuar që nga shkurti dhe se ne të gjithë duhet të mendojmë sërish se ku jemi, cili është pozicioni ynë dhe ku duam të jemi në të ardhmen”, tha ai.

I pyetur se cili duhet të jetë prioriteti (për Serbinë) në këtë moment – vendosja e sanksioneve kundër Rusisë apo normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, Hill u përgjigj se këto janë çështje për autoritetet serbe.

“Unë mendoj se kjo është pyetja që duhet t’ua bëni përfaqësuesve të qeverisë suaj, unë përfaqësoj qeverinë amerikane këtu dhe nuk jam këtu për të dhënë këshilla, kështu që ju duhet të gjeni me autoritetet serbe përgjigjet për këto pyetje “, tha Hill.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *