Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se nuk do të ketë dialog teknik me Serbinë, por vetëm politik.
Ai e ka konfirmuar se gjatë kësaj jave do të mbahet një takim tjetër në Bruksel.
“Të enjten është një takim tjetër në Bruksel ku do të jetë prezent koordinatori shtetëror për dialog të cilin do ta emëroj së shpejti, për të biseduar dhe për të draftuar marrëveshjen finale për njohje reciproke. Ky është objektivi ynë i vetëm në këtë proces”, deklaroi Hoti, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Hoti ka përjashtuar mundësinë që të ndodh një rinisje e procesit teknik të dialogut, edhe pse nga Bashkimi Evropian është lënë të kuptohet se takimi i kësaj jave do të jetë në nivel teknik.
“Dialog teknik nuk ka. Ka dialog vetëm politik për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve”, ka thënë Hoti.
Lidhur me rifillimin e dialogut, pritet që kryeministri Hoti të raportojë të premten para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.