Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, i ka riktheksuar qëndrimet e Shteteve të Bashkuara në lidhje me reciprocitetin mes Kosovës dhe Serbisë, gjatë takimit të zhvilluar me Kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq.

Në takim gjatë ditës së enjte, Hovenier tha se me ministrin për Komunitete dhe Kthim është biseduar lidhur me ngjarjet e fundit në veri të vendit.

“I kujtova disa nga qëndrimet e SHBA-së për disa nga çështjet që përfshijnë masat e reciprocitetit që Qeveria e Kosovës ka dashur t’i vendosë. Nga këndvështrimi ynë janë në përputhje me marrëveshjet e Brukselit dhe janë legjitime. Ne gjithashtu folëm për rëndësinë që të sigurohemi që shqetësimet e komunitetit serb të Kosovës të përfshihen në këto bisedime dhe të jenë një element se si do të vazhdojnë gjërat”, tha Hovenier, transmeton KOHA.

Ambasadori amerikan gjithashtu ka ritheksuar pozicionin e SHBA-së në lidhje me  Milan Radojçiqin.

“Më duhet t’u kujtoj njerëzve se, nga këndvështrimi i Shteteve të Bashkuara, z. Milan Radoiçiq, është sanksionuar nga Thesari i Shteteve të Bashkuara në bazë të informacionit tonë për lidhjet e tij me krimin e organizuar transnacional dhe korrupsionin, dhe i tregova atij që, ju e dini, pikëpamja e Shteteve të Bashkuara për këtë individ është tashmë e njohur”, ka thënë Hovenier.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *