Vendimin e qeverisë për lirimin nga detyra të disa ambasadorëve të Kosovës në botë, drejtuesi i PDK-së Enver Hoxhaj e ka vlerësuar si ‘suspendim të politikës së jashtme’.
“Qeveria Kurti, me veprimin e djeshëm për kthimin e ambasadorëve me “çelës politik”, e ka suspenduar Politikën e Jashtme”, ka reaguar ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, me kërkesën e Ministrisë se Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka liruar nga detyra të gjithë ambasadorët e Kosovës që ishin të emëruar politik, transmeton REL.
Në reagimin e tij, Hoxhaj tha se “veprime të tilla kamikaze e dëmtojnë imazhin e Kosovës në botë, e zbehin subjektivitetin ndërkombëtar dhe i përmbysin të arriturat e dy dekadave të fundit në diplomaci”.
Procedurat ligjore për emërimin e ambasadorëve të rinj marrin kohë. Pas propozimit të Ministrisë së Jashtme, që bëhet në koordinim me kryeministrin, emrat për ambasadorë dërgohen në Komisionin për Politikë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës. Ky komision pastaj i dërgon emrat në Presidencë, ku pason dekretimi nga ana e presidentit të Republikës. Por, procedura nuk përfundon me kaq. Shteti pranues duhet të japë pëlqimin për ambasadorin e ri, procedurë kjo që mund të marrë disa muaj kohë.