Liderët e Polonisë dhe Hungarisë kanë deklaruar se do të vazhdojnë të kundërshtojnë planin e Bashkimit Evropian për shpërndarjen e fondeve për lehtësimin e ekonomive nga pasojat e pandemisë së Covid-19.
Sipas propozimit të BE-së, paketa prej 750 miliardë euro për rimëkëmbjen e ekonomive të shteteteve të bllokut do të jetë e kushtëzuar me respektimin e ligjeve demokratike, të drejtave të njeriut dhe pavarësisë së gjyqësorit në shtetet anëtare të BE-së.
Ky mekanizëm i ndarjes së fondeve është kundërshtuar nga Kryeministri i Hungarisë Viktor Orban dhe ai polak Mateusz Morawiecki. Sipas një deklarate të tyre të përbashkët, ata u zotuan të kundërshtojnë mekanizmin e propozuar të BE-së duke e cilësuar atë si sanksionues ndaj shteteve anëtare për shkelje të standardeve demokratike.
Javën e kaluar, këto dy vende anëtare të BE-së e vedosën veton kundër kalimit të këtij mekanizmi, duke e shtyrë implementimin e tij dhe paketën e rimëkëmbjes që ishte planifikuar të zbatohet në muajin Janar. Madje, ata gjetën përkrahje edhe nga Kryeministri slloven Janez Jansa.
Megjithatë, siç raporton Euronews, Parlamenti Evropian e bëri të ditur, javën e kaluar, se nuk do të bëjë lëshime ndaj qëndrimeve të Hungarisë dhe Polonisë. Liderët e BE-së do të diskutojnë qështjen e paketës së rimëkëmbjes gjatë një samimi në muajin dhjetor.