Koordinatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Skënder Hyseni, vizitoi të hënën Uashingtonin ku takoi ë dërguarin e posaçëm për Ballkanin në Departamentit e Shtetit, Matthew Palmer.

Hyseni është shprehur i sigurt se edhe Shtetet e Bashkuara do të bëhen pjesë e dialogut që ka nisur në Bruksel.

“Do të shohim hapa konkretë të kyçjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialog, krahas Bashkimit Evropian”, ka thënë Hyseni për Zërin e Amerikës.

I pyetur rreth deklaratave nga zyrtarët serbë të cilët e përsërisin se Serbia nuk do të njohë Kosovën, Hyseni tha se në politikë ndonjëherë thuhen gjëra që jo domosdoshmërisht përputhen me realitetin dhe se njohja reciproke është e pashmangshme.

Ndër të tjera, Hyseni tha se bisedimet janë krejtësisht politike.

“Mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, nuk ka asgjë teknike deri në përmbyllje të njohjes reciproke. Çdo gjë është skajshëm politike. Çdo gjë bart një dimension politik akut dhe ai dimension politik, akut duhet të adresohet dhe të zgjidhet ekskluzivisht në një marrëveshje gjithëpërfshirëse, që nënkupton njohje të ndërsjellë mes këtyre vendeve”, është shprehur Hyseni.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *