Kancelari gjerman Olaf Scholz ka qëndruar për vizitë të premten në Kosovë ku është takuar me Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.
Në vizitën e tij të parë në Prishtinë, Scholz theksoi rëndësinë e arritjes së një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë për të kontribuar në stabilitetin e rajonit.
“E qartë është që marrëveshja në fund duhet të zgjidhë edhe çështjen e njohjes së Kosovës, sepse është e paimagjinueshme që dy vende, të cilat nuk e njohin njëra-tjetrën të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian”, deklaroi Scholz, transmeton DW.
Duke futur në argumentim edhe aktualitetin e luftës mes Rusisë dhe Ukrainës, kancelari gjerman theksoi se zgjidhja e çështjes mes Kosovës dhe Serbisë tani “bëhet edhe më e rëndësishme”.
“Është një arsye edhe më shumë dhe më e rëndësishme që Kosova dhe Serbia përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme të gjejnë një zgjidhje politike, e cila kontribuon në stabilitetin rajonal”, tha Scholz.
Ndërkohë, Kryeministri Kurti tha se kërkoi mbështetjen e kancelarit Scholz për integrim të Kosovës në Bashkimin Evropian, dhe njëkohësisht bëri të ditur se në fund të këtij viti Kosova do të aplikojë për statusin e kandidatit për Bashkim Evropian.
Ndërkohë, për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, Kancelari gjerman tha se qeveria e tij po angazhohet maksimalisht me partnerët që Kosovës t’i liberalizohen vizat. “Ne angazhohemi që liberalizimi i vizave të vijë sa më shpejt, pasi kushtet janë plotësuar dhe për këtë po flasim me partnerët tanë që edhe ata të binden siç jemi bindur ne”, tha Olaf Scholz.