Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reguar pas kërkesës së partnerit qeverisës, LDK-së, për mocionin e mobesimit ndaj Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti.

Përmes një njoftimi, KDI shprehet kundër këtij mocioni dhe parashikon se futja në cikël të ri të krizës institucionale do të qonte, ndër të tjera, në zhgënjim shoqëror.

“Rikujtojmë se Qeveria e re e Kosovës e formuar vetëm 45 ditë më parë pas një periudhe disa-mujore kur është qeverisur nga një qeveri në dorëheqje dhe futja në cikël të ri të krizës institucionale mund të prodhojë stagnim të mëtejmë të zhvillimit ekonomik e social, në prolongimin e reformave për sundim të ligjit dhe në procesin e integrimit evropian. E gjithë pa dyshim do t’a dobësojë pozicionin politik të shtetit në rrafshin ndërkombëtar, do t’a polarizojë edhe më tepër skenën politike dhe do të prodhojë zhgënjim e destabilitet shoqëror”, thuhet në njoftim, transmeton Koha.net.

Sipas tyre, Qeveritë teknike apo të unitetit janë kryesisht karakteristikë e shteteve pa stabilitet institucional dhe polarizim të skajshëm politik.

“Prandaj, KDI vlerëson se krijimi i një qeverie të tillë do të ishte deformim i vullnetit të shprehur të qytetarëve më 6 tetor të vitit të kaluar, si dhe do të prodhonte institucione të reja pa legjitimitet qytetar. Përderisa vendi është duke u ballafaquar me pandeminë globale COVID-19, gjendja e krijuar në skenën politike ngjallë pasiguri tek qytetarët dhe situatat e krizave të tilla nuk duhet të përdoren për interesa politike. Në këtë drejtim, kohëzgjatja e procedurave kushtetuese për formimin e një qeverie të re do të linte vendin pa institucione në periudhën kur ato vendit i duhen më së shumti”, thuhet në komunikatë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *