Këshilli Evropian ka miratuar një pako prej 100 milionë euro ndihmë për Kosovën.
Paratë nga i ashtuquajturi “Instrumenti i Financimit të Shpejtë” janë të destinuara për ekonomitë e shteteve kandidate të BE-së dhe fqinjve në Partneritetin Lindor dhe Jugor, me qëllim që t’i ndihmojnë ato të përballen me pasojat ekonomike të pandemisë COVID-19.
Ndihma financiare do të ofrohet në formën e huave nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, në kushte të favorshme, transmeton Koha.net.
Nga kjo shumë, 100 milionë euro janë ndarë për Kosovën, 60 milionë euro për Malin e Zi, 160 milionë euro për Maqedoninë Veriore, 250 milionë për Bosnjën dhe 180 milionë euro për Shqipërinë.