Pas afër dy jave bllokadë në rrugët që çojnë në dy pikat kufitare në veri të Kosovës, të dielën është rikthyer normaliteti nën kontrollin e forcave të KFOR-it.

“Gjendja e sigurisë në pjesën veriore të Republikës së Kosovës, pas largimit të pengesave, lirimit të rrugëve për qarkullim dhe lëvizje të lirë i është kthyer normalitetit, përderisa njësitet policore patrulluese përfshirë ato kufitare vazhdojnë me realizimin e detyrave dhe përgjegjësive ligjore”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Nga 20 shtatori, pjesë të rrugëve që dërgojnë në pikat kufitare në Bërnjak dhe në Jarinjë ishin bllokuar nga qytetarë serbë që protestonin ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për vendosjen e reciprocitetit me Serbinë për targat e veturave.

Marrëveshja e arritur në Bruksel gjatë kësaj jave zhbllokoi situatën me pajtimin që veturave nga Serbia që futen në Kosovë dhe anasjelltas t’u vendosen letra ngjitëse në vend të targave të përkohshme.

I ngarkuari me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Nicholas J.Giacobbe e quajti “përparim të mirë nga Kosova dhe Serbia” zbatimin e marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për zhbllokimin e dy pikave kufitare në veri të Kosovës, transmeton REL.

Më 21 tetor do të nisë punën një ekip i përbërë nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, Prishtinës dhe Beogradit për të gjetur një zgjidhje të përhershme. Brenda gjashtë muajve, prej nisjes së takimit të parë, i ashtuquajturi Grup Punues, do të prezantojë gjetjet për një zgjidhje të përhershme në formatin e dialogut të nivelit të lartë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *