Tetori është Muaji Ndërkombëtar i Luftës Kundër Kancerit të Gjirit dhe Drejtoria e Shëndetësisë e Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) po e fillojnë fushatën “Zbulimi i hershëm-Mbijetesë”.
Komuna e Prishtinës ka njoftuar se përgjatë muajit tetor, në njësinë e Radiologjisë në QKMF, shërbimet e mamografisë do të ofrohen pa pagesë për të gjitha gratë e Komunës së Prishtinës.
Mamografia është një metodë e përshtatshme për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit. Në një mamografi bëhen të dukshme edhe tumoret më të vegjël shumë më parë se të jenë të ndjeshëm me të prekur ose të njihen nga simptomat e tjera.
“Eja në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) për kontrolla rutinore dhe informim sa më mirë për sëmundjen e kancerit të gjirit dhe rëndësinë e zbulimit të hershëm të saj”, bëhet thirrje në njoftimin e Komunës lëshuar në Facebook.