Izraeli ka zyrtarizuar marrëdhëniet diplomatike me Kosovën pas njohjes që u arrit përmes marrëveshjes së nënshkruar në shtator të vitit të kaluar në Shtëpinë e Bardhë.
Përmes një ceremonie virtuale, ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla dhe ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Gabriel Ashkenazi, kanë nënshkruar dokumentin ku thuhet se të dyja shtetet vendosin marrëdhënie diplomatike, për të rritur bashkëpunimin në shumë fusha, transmeton Koha.net.
“Të udhëhequr nga vullneti i përbashkët për të promovuar dhe forcuar lidhjet miqësore, si dhe për të zgjeruar horizontet e bashkëpunimit mes dy vendeve dhe bazuar në parimet universale të ligjit ndërkombëtar; duke riafirmuar përkushtimin e përbashkët për të forcuar bashkëpunimin e frytshëm në sferën politike, ekonomike, të tregtisë, teknike e kulturore dhe në sfera të tjera të interesit të përbashkët, (Kosova dhe Izraeli) kanë vendosur që të themelojnë marrëdhënie diplomatike në nivel ambasadorësh”, thuhet ndër të tjera në dokumentin e nënshkruar nga kryediplomatët e dy vendeve.